Janari i volejbollit: Kur heronjtë e Europës ishim ne

dinamo-volejboll-femra1 Le ta nisim me një histori të 2 vjetëve më parë. Në klubin shumësportësh Partizani, ditët e para të janarit 2010 sollën edhe një gëzim të vogël. Me ndërhyrjen e fortë të kryedrejtuesit të të kuqve, Mirjan Hakanit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) çeli fondin prej 3.9 milionë lekësh (të reja) me të cilin do të “kavardisen” mbi 100 sportistë të këtij klubi për 365 ditët që i përkasin këtij viti.

Një pjesëtim i vogël nxjerr se secili sportist i të kuqve paguhet me 4 mijë lekë në muaj, ndërsa një trajner me 8 mijë. Një sportist i klubit, dikur krenari e sportit shqiptar, merr aq para sa ndahet për familjet në varfëri të plotë si ndihmë ekonomike. Gjithsesi, njëri nga të kuqtë, ish-volejbollisti dhe sot drejtues, Elton Stafa, thotë fjalën “shyqyr”, një turqizëm që ende nuk e kemi hequr nga fjalori i përditshëm. “Shyqyr” sepse fondi edhe mund të mos ishte çelur fare. Dinamo, p.sh., ka 4 vjet që nuk merr asnjë lek.

Dhimbja për dy shkollat e volejbollit kombëtar bëhet e padurueshme kur nis e numëron datat historike dhe të shkëlqyera që ekipet e këtyre dy klubeve kanë shënuar pikërisht gjatë këtij muaji në të cilin jemi, pra në janar.

dinamo-volejboll-meshkujMë 7 janar 1972, Dinamo e volejbollit të meshkujve, drejtuar nga Vangjel Koja, niste aventurën për t’u kualifikuar për në finalet e Kupës së Kampionëve të Europës. Blutë e shkëlqyer ishin Rusi, Lena, Terihati, Fagu, Tartari, Gjerazi, Starja, Beriolli, Take, Grimaku, Bijo. Dinamo mundi CSKA-në e Sofjes 3-2 dhe Rebelsin e Belgjikës 3-1, duke humbur vetëm nga holandezët e Amvy Deltalloyd, 0-3 në ndeshjen e parë.

Koja kujton sesi trajneri i CSKA-së habitej kur dëgjonte se shqiptarët kishin synim ta mposhtnin ekipin e tij, ndërsa këmbëngul se po të kishte pasur dy lojtarë të huaj elitarë, Dinamo do ta kishte pretenduar titullin europian. Më parë se të arrinte janarin, kampionia shqiptare kishte eleminuar kampionen greke, Panathinaikos në dhjetor 1971.

Ajo epope u mbyll me 3 humbje në katërshen finale, por jo pa luftë në ndeshjen e fundit ndaj Ruinit të Firences, kur Dinamo kryesoi 2-0 me sete, duke humbur thjesht nga mungesa e përvojës 2-3. Vangjel Koja thotë i qetë sot se “atëherë ne nuk dinim ta arrinim fitoren, edhe kur e kishim në dorë”.

dinamo-volejboll-femra2Më 14 janar 1987, Dinamo e femrave fitoi bindshëm 3-0 në Zagreb ndaj Mlladostit vendas, për të hedhur hapin e parë drejt finaleve të Kupës së Kupave të Europës. 15-7, 15-7 dhe 15-12 ishin pikët e seteve të fituara nga Tase, Ibrahimi me shoqe. Më 21 janar 1987, vetëm një javë më pas, Dinamo plotësoi formalitetin duke fituar 3-1 në Tiranë dhe duke siguruar biletën finaliste. Atë biletë që e detyruan ta griste meqë në finale e priste një skuadër sovjetike. Moshkuarja në finale solli si “dhuratë” edhe një vit përjashtim nga Europa.

19 janari 1974 është e shënuar me të kuqe në kalendar. Partizani i Tiranës (volejboll meshkuj) eliminoi kampionen e Italisë Ruini të Firences, pas dy ndeshjeve tepër të forta dhe të nivelit më të lartë. Andon Kona, trajneri i paharruar i të kuqve, qe analitik pas fitores së parë 3-1 në Tiranë, në fillim të janarit. “Nuk jam i kënaqur me setet, - tha ai, pas fitores në takimin e parë për 1/8 e finaleve të Kupës së Kampionëve, -  ishim dobët në setin e tretë, sepse u lodhëm në dy të parët”.

Në Itali, Partizani humbi 2-3 në 19 janar dhe doli në çerekfinale. Sërish politika i preu rrugën sportit, sepse në atë nivel ekipi ynë do të ndeshej me CSKA-në e Moskës. Një “jo” e prerë frenoi gjithçka. Të paktën u mbajtën mend eleminimet e turqve të IETT-së (3-2, 3-2) dhe Ruinit. Emrat ishin Fagu, Rusi, Tomori, Borova, Macaj, Domi, Marjani, Stefani e të tjerë.

Andon Kona ishte njeriu që jo vetëm stërviste deri në manjakëri, por edhe kujdesej deri për uniformat e lojtarëve të tij. Vangjel Koja tregon sesi në një turne final të Kupës së Shqipërisë në Vlorë, këtu e 30 vjet më parë, e gjeti Andonin në banjën e hotelit duke larë fanellat e volejbollistëve, pasi ishin djersitur në ndeshjen e asaj dite. Ndeshja e ditës tjetër duhej t’i gjente të lara dhe të hekurosura. Kona nuk pati zgjidhje tjetër përveçse të bëhej vetë si një amvisë shtëpiake e qëmotit kur nuk kishte lavatriçe në shtëpitë shqiptare.

Gjithë ky pasion, nivel dhe përkushtim u shpërblyen me një hedhje në rrugë të Andon Konës më 1991 apo më 1992, në ndërrim të sistemeve, kur trajneri i famshëm u detyrua të improvizohej fotograf që të nxirrte bukën e gojës. Sot, 18-19 vjet të shkuara, legjendari Kona prehet në banesën e tij të fundit, ndërsa mallkimi duket se e ka zënë edhe volejbollin e kuq, që jeton grahmat, ndoshta, të fundit.

Më 25 janar 1990, Dinamo po e femrave arriti një tjetër cak tepër të rëndësishëm, katërshen finale të Kupës së Kampionëve të Europës, pas një ndeshjeje plot tension dhe në mes të krismave të armëve në Bukuresht të Rumanisë. Ishin ditët e revolucionit anti-Çaushesku, kur vajzat shqiptare i kthenin vizitën rumunevem, pasi kishin fituar 3-1 në Durrës.

ela taseEmocionet e Tartarit dhe vajzave të tij nuk mund të harrohen. Për to, trajneri është dhe do të jetë nostalgjik përsa kohë të ketë frymë. Ai kujton krismat e Bukureshtit, mikpritjen rumune, ankthin e madh edhe për ndeshjen, edhe për ruajtjen e kokës, takimin e luajtur në sallën e klubit të Dinamos së Bukureshtit, plot e përplot me tifozë si dhe pikën vendimtare që u shënua nga kapitenia rumune dhe u quajt e pavlefshme po prej saj, thjesht në një gjest ndershmërie të rrallë sportive.

Një rrëmujë e vërtetë me tifozët vendas që hynë në fushë për të festuar, Tartarin që protestoi për një prekje të rrjetës dhe kapitenen fisnike rumune që pranoi gabimin. Për fat, gjyqtari kryesor reagoi duke anulluar pikën. Pas kësaj, shqiptaret shënuan disa pikë aq sa mjaftonin për të shkuar në katërshen finale të Kupës së Kampionëve.

Kur Tartari flet për nostalgjinë e tij krejtësisht të justifikuar, kujtoj një intervistë të trajnerit malazez të Partizanirt të Beogradit në basketboll për meshkuj, të të famshmit Dushko Vujosheviç. “Dule” është njeriu që krijoi Partizanin e Divacit, Xhorxheviçit dhe Paspaljit në vitet 80-të, që doli kampion i Europës po me këtë ekip më 1992, kur bardhezinjtë kishin lojtarë 20-22 vjeçarë si dhe që e drejton këtë skuadër sërish, me largime të njëpasnjëshme të talenteve, kushte të vështira stërvitore dhe vonesa rrogash.

“Emocionet që më ka dhënë basketbolli, - shprehej ai për televizionin publik të Malit të Zi, - një njeri tjetër nuk do të mund t’i provojë edhe po të jetojë 10 herë”. Ashtu si shkarazi, përmendte se ai dhe lojtarët e tij kishin nja 3-4 muaj pa marrë rrogat. “Kriza”, - thoshte, por nga ana tjetër “crnobeli”-t pretendojnë të hyjnë mes 16 më të  mirëve të Europës.

Janari më kujtohet edhe ngaqë mbaj mend një titull të gazetës malazeze “Dan” që shkruhej: “Duke provuar të pamundurën”. Titulli ishte mbi kryet e një shkrimi që fliste për ndeshjen mes skuadrës së volejbollit të meshkujve, Budvanska Rivijera ndaj italianes së fuqishme, Kuneo në 1/4 e Kupës së CEV-it.

Kush është Budvanska Rivijera? Ekipi i Budvës së vogël ka një buxhet të fuqishëm të siguruar nga sponsori kryesor dhe disa sponsorë të tjerë.

Emri Budvanska Rivijera është i kompanisë turistike të atij qyteti. Kjo kompani, me 7 hotele dhe 400 punonjës të përhershëm, plit 400 punonjës sezonale, mendon se ekipi i volejbollit të qytetit dhe ai i vaterpolit janë një krenari e madhe që duhet të mbështeten. Për vaterpolin (që mban të njëjtin emër) kompania jep 500 000 euro në sezon dhe kjo skuadër arriti larg në Europë dhe në Ligën e Adriatikut.

Elton Stafa më kujton një histori të treguar nga Agim Fagu, kryetari i sotëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Historia i përkiste periudhës kur Gimi i shquar ishte ambasador i Shqipërisë në Londër dhe ishte pak a shumë e tillë: Në kryeqytetin britanik ishte bërë problem i madh njëra prej lagjeve, ku kriminaliteti ishte rritur tej mase. Autoritetet morën masa të ashpra, deri me praninë e madhe të forcave të rendit, por nuk pati rezultat. Më në fund, dikush propozoi dy lëvizje, ndriçim të plotë të rrugëve e trotuareve dhe nxitjen e sporteve të ndryshëm. Këto masa dhanë rezultat.

Mali i Zi është shumë pranë, Londra ende tepër larg, por trajnerët Ylli Tomori dhe Vangjel Koja janë të lumtur edhe me malazezët. “Mali i Zi duhet të jetë fokusi ynë, synimi për ta arritur, - shprehet Tomori, - është njëlloj si në timonin e makinës, kur fokusohesh tek makina që ke përpara”. Tomori është i bindur se trajnerët shqiptarë e kanë të lehtë të shkojnë në Budva apo Podgoricë për të vëzhguar nga afër punën e trajnerëve malazezë dhe për “t’i vjedhur” zanatin.

“Por është problemi i stimujve, - vazhdon ai, - puna e trajnerit të volejbollit nuk të jep të ardhura të mira financiare, ndaj edhe është e kotë që trajnerët të shkojnë e të investojnë për veten në këtë drejtim”. M’u kujtua sërish rroga prej 8 mijë lekësh e trajnerëve të klubit Partizani ...

Koja beson se një qendër stërvitore e ekipeve kombëtare do të bënte shumë punë. “Shkëmbimi i përvojës me Malin e Zi, për shembull, - thotë ai, - kërkon shpenzime të mëdha për akomodimin e ekipeve, por nëse ke një qendër të ekipeve kombëtare, këtë problem e ke të zgjidhur”. Në KOKSH, Fagu po e mendon këtë punën e qendrës së ekipeve kombëtare, por thotë se “duhet të përmirësohet situata politike, ndryshe është tepër e vështirë të flasësh për këto projekte”.

Leonard Tase, sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit, e ka të qartë se çfarë po ndodh tek ne. “Ne jemi si një punishte që nxjerrim një prodhim të caktuar, pra lojtarë dhe lojë volejbolli, - thotë ai, - ky prodhim i yni nuk shitet, ne nuk na vjen njeri në pallatet e sportit. Vetëm nëse do të kemi një prodhim konkurrues, do t’ia dalim”.

Natyrisht, kur buxheti i FSHV-së është vetëm 60 000 euro në vit, ndëra ai i Federatës së Volejbollit të Azerbajxhanit arrin në 2 milionë euro vjetorë (pa përmendur Anglinë ku shkon në 5 milionë), pak gjë mund të bëhet. Nuk do të ishte keq që historia londineze e Agim Fagut t’i jepet për t’u lexuar drejtuesve qeveritarë dhe të pushtetit lokal, që këta të kuptonin më mirë rëndësinë që ka investimi në sport.

Është e kotë të justifikohemi sepse Azerbajxhani nuk ka mundësi kaq të mëdha në krahasim me Shqipërinë. Buxheti i qeverisë azere është vetëm 3 herë më i madh se buxheti i qeverisë shqiptare (sipas librit të CIA-s në internet), ndërsa kur vjen puna tek investimi në volejboll, ata janë 33 herë më lart se ne.

Pa interesim të shtetit, pa interesim të biznesit, pa para, sporti ynë është kthyer në një biznes të nivelit më të ulët ku trajnerët duhet të përfitojnë para në mënyra të pista nga sportistët për të siguruar një jetesë normale. Ky jetim i madh kujton me mallëngjim ditët e ftohta të janarit, aq të zjarrta nga fryma që dilte nga goja e mijëra tifozëve në pallatet e sportit, kur ata thërrisnin “Partizan, Partizan” apo “Dinamo, Dinamo” apo nga përplasja e furishme e shuplakave të tyre.

Nuk ka rëndësi se çfarë emri do të thirret në kor nga tifozët sot, le të jetë edhe emër i ndonjë kompanie që prodhon detergjentë apo veshje intime, mjaft që sërish pallatet tanë të sportit të mbushen edhe një herë dhe njerëzit të provojnë sërish ato emocione të jashtëzakonshme që di t’i japë vetëm sporti.

“Gërdalla e vjetër”, ai pallat sporti me emrin fisnik të Asllan Rusit, njeh gëzim njerëzor vetëm të dielave paradite kur në të mblidhen Dëshmitarët e Jehovait në takimet e tyre. Miku im Edmond Moja, ish-basketbollist i kuq dhe sot trajner i pasionuar me moshat e vogla, përplas pëllëmbën pas ballit dhe thotë: “Si ka mundësi që këta e mbushin pallatin, ndërsa ne jo”.