Skënder Jareci, historia e jashtëzakonshme e të deklasuarit të madh të futbollit

jareci-dibraE keqja afrohet ndërsa djaloshi krejt i pafajshëm, ende i parritur mirë e i lumtur në lodrën e vet, lëshon djersën e bukur të futbollit. E prek në sup me një thirrje: Eja, merr babën. Gjashtëmbëdhjetëveçari ndalon, lejon topin të largohet dhe, duke fshirë ballin që kullon, kthehet andej nga ka teshat.

Nuk ndihet asgjë e keqe në atë prekje “eja merr babën”. Ai vishet, shkon ngadalë drejt asaj ndërtese ku janë dhomat e fshehta e misterioze, aty ku duhet të marrë babanë. Përshëndet rojen, i thotë kush është dhe hyn me ngut të kuptueshëm, për të mos e lënë njeriun e tij të shtrenjtë që të presë. Duhet të jetë i lodhur, i mërzitur.

Bën gati buzëqeshjen për ta hedhur në krahët e gëzimit, por një zë akull e ndalon: Dëgjo djalë, yt atë ka vdekur!!! A e dëgjoi mirë? Ka vdekur? Po, kjo ishte e vërteta. Nuk gjenden dot fjalë të përshkruhet e ngjyroset shembja e brendshme e botës së një djali gati fëmijë, që brenda një sekonde kaloi nga malli dhe kënaqësia që do të shikonte njeriun e shtrenjtë, tek goditja e ftohtë nën zero që e lajmëronte se kjo nuk mund të ndodhte më. Kurrë!

Diçka arriti që ta bënte njëfarësoj të fortë, gati-gati si një makineri, një robot, dhe me mendjen e mpirë e gjymtyrët si të metalta nisi të gjente mënyrën për ta marrë atë trup të ftohur, por edhe më shumë të dashur se më parë, dhe për ta çuar në shtëpi, larg kësaj pjese të jetës më të zezë se vdekja.

Atje, pasi u la, u pastrua e u qa, trupi i rëndë u dërgua drejt varrit ... me karrocë. Jo, nuk ishte moti për të gjetur një makinë.

Ky djalosh 16-vjeçar, në atë stinë të errët të 1947-ës në qytetin e Durrësit e kishte emrin Skënder Jareci, ish-lojtar dhe ish-trajner i shkëlqyer i futbollit shqiptar, i biri i një tregtari të suksesshëm, por gjithaq fatkeq nga Dibra e Madhe, që i iku zjarrit dhe plumbit serb me familjen e tij ndoshta në 1920 dhe gjeti vdekjen e padenjë në një qeli, ndërsa qyteti i vjetër e fisnik buzë Adriatikut heshtte e nuk fliste, por së brendshmi qante humbjen e tij të radhës.

Më tej, një jetë në bodrum për familjen Jareci, si të deklasuar, të shpronësuar dhe me një burrë, vëlla apo baba të vdekur nën torturat e hetuesisë, sepse nuk pranoi të tregonte vendin ku kishte florinjtë e fshehur. Nuk ishte Mbret që të ikte, të merrte ca florinj me vete, të jetonte e të vdiste diku në mërgim dhe sot t’i ngrinin një përmendore e një mauzoleum.

“E bukura shpëton botën” shkruan Dostojevski, por për familjen Jareci shpëtimi, qoftë edhe i pjesshëm erdhi nga djali i saj, Skënderi, që tashmë nuk luante më futboll në Durrës, por në kryeqytet me Dinamon e sapokrijuar të Ministrisë së tmerrshme të Brendshme.

Një autoritet i sportit si Skënder Begeja, e kishte pikasur saktësisht në vitin e tij të zi, 1947, ndërsa adoleshenti Jareci luante për Durrësin, në një sparring të ekipit kombëtar të Shqipërisë, që bëhej gati për një përballje ndaj Bullgarisë në Sofie. Në atë moment, u vendos se çdo të bëhej me 17-vjeçarin.

Më 1949, vetëm dy vjet më vonë, Skënder Jareci, ishte në Sofie, si lojtar i përfaqësuesese shqiptare, diçka që e kënaqi Begenë që ndodhej në atë kohë në kryeqytetin e Bullgarisë.

Fat dhe ironi, që Skënder Jareci u bë i madh pikërisht pranë asaj ngrehine nga ku kishin marrë urdhër ata që i kishin mbytur të jatin. Madje, u bë një i veçantë për të fuqishmit si Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. Ata e donin pa asnjë mëdyshje, ndonëse dikur në një sirtar rrinte zgjuar në errësirë një dosje që ishte gati të dilte prej aty sa herë t’i thërrisnin emrin.

Fisniku i ri i familjes me origjinë dibrane diti t’i ngjiste mirë shkallët e karrierës në futboll, edhe tek një ekip elite si Dinamo. Skënderi ishte një lojtar i shkëlqyer ofensiv, tepër teknik, i zoti të godiste saktë e të shënonte me të dyja këmbët, i jashtëzakonshëm në lojën e ajrit dhe tepër elegant e akrobatik në veprime, një lloj balerini i fushës që vepronte me topin me krahët paksa të hapur, pozicioni i tij klasik i fiksuar në fotografitë e kohës. Ai ishte një nga mjeshtrat e roveshatës.

1950Ai doli menjëherë kampion, me ekipin e parë dinamovit, më 1950, në kohën kur kampionati luhej me sistemin pranverë-vjeshtë, sipas modelit sovjetik. Më tej erdhën edhe 3 tituj radhazi, më 1951, 1952 e 1953 si dhe më tej më 1955 e 1956 për të ardhur fundi i brezit të parë të madh të Skënder Jarecit më 1960, kur titulli u fitua për herë të shtatë. Përveç titujve, ishin edhe 6 kupa të Shqipërisë, duke e bërë Jarecin si një nga futbollistët më të dekoruar në vend për të gjitha kohët.

Më 1963 tha “mjaft” dhe këpucët i la përfundimisht në shtëpi, po ashtu si edhe uniformat që mezi ishin larë për vite me radhë nga balta dhe ngjyra jeshile e barit. Me vete mori edhe medaljet e shënuesit më të mirë të kampionatit në vitet 1955, 1958 e 1960, përkatësisht me 23, 14 e 16 gola.

Veçse, pavarësisht gjithçkaje, do të ishte karriera si trajner që do ta spikaste edhe më shumë Jarecin tashmë të pjekur, ndonëse paradoksalisht fitoi shumë më pak sesa duke goditur topin në fushën e lojës.

Por, historia njeh jo pak raste të tillë. Në të famshmin FC Liverpul, ekziston një statujë, ajo e trajnerit legjendat Bill Shenkli. Njeriut që krijoi atë Liverpul që ne njohim. Ai fitoi jo edhe aq shumë, 3 tituj kampion (një më shumë sesa Jareci) si dhe 2 kupa të Anglisë (1 më pak sesa Jareci), gjithashtu fitoi Kupën UEFA më 1973.

Pasardhësi i tij i menjëhershëm, Bob Pejsli fitoi pafund: 6 tituj në Angli, 3 kupa të ligës, 6 superkupa të Anglisë, 3 kupa të  kampionëve, 1 kupë UEFA, 1 Superkupë të UEFA-s.

Të heqim kapelen dhe të falenderojmë Bob, por më të madh mbajmë Shenklin, thonë tifozët në qytetin e Bitëllsave.

Si trajner ai e nisi larg Tiranës, veçse në një qytet po aq të lavdishëm, në mos pak më shumë. U bë drejtues i Vllaznisë në Shkodër. Ky ngulmim i vjetër shqiptar, përtej gjithë krenarisë dhe deri diku lokalizmit të vet, vendosi të merrte një njeri që dihej mirë se ishte një manjak i punës, edhe pse pa asnjë “klasë” si drejtues skuadre. Fitoi instinkti, ndërsa skuadra kuqeblu jetonte vitet e saj më të këqija në histori.

Puna nisi me një bllok të pastër e të trashë, me stilolaps, por dalë nga dalë u shtuan lapsat me ngjyra për të veçuar gjithçka që duhej veçuar si dhe duke vendosur në krah të karakteristikave të gjithë lojtarëve një fotografi të vogël. Trajneri Skënder Jareci mund të quhej me shaka si gjendja civile e Vllaznisë. Djersa e derdhur nuk shkot kot dhe me shkodranët ai fitoi Kupën e Shqipërisë më 1965, trofeu i parë në qytetin krenar që prej titullit kampion të 1946-ës. Ishte gjithashtu, kupa e parë e Republikës në histori.

scan0006Më 1966 vjen “fletëthirrja” e parë për tek Dinamo, lëshuar nga Feçor Shehu që ishte në atë kohë shef i degës së brendshme në Shkodër. Tashmë për të qenë i ulur në stol. Aty shfaqet edhe më fuqishëm talenti i tij i lindur për të drejtuar një skuadër. Farruk Sejdini, një nga lojtarët më të mirë të Dinamos dhe një nga djemtë e saj më “të prapë” e ka të vështirë të gjejë fjalë për ta përshkruar profesor Jarecin. Vetë Sejdini u bë një nga trajnerët më të mirë blu, ndoshta më i dashuri nga tifozët, i quajtur jo më kot “Zagallo”, por edhe ky Zagallo i falet Skënder Jarecit si të ishte një Perëndi.

Me të ardhur në ekip, lojtarët e rinj nisën të afrohen e të ingranohen. Sejdini, Përnaska, Çutra, Haxhi Mergjyshi, Çoçoli, Çiraku ishin vetëm 16-17 vjeçarë, vërsnjakë të kohës kur vetë Skënderi çau tek ekipi i Durrësit për të ardhur më pas tek Dinamo.

Nisi puna sistematike, e përditshme, e shpejtë, e kujdesshme, me programet e punës të përgatitura deri në detaje dhe skuadra blu fitoi atë fizionomi që e ka dalluar prej atëherë e deri vonë (nuk po them sot, sepse është mëkat të bësh një krahasim, vitet e fundit të mirë ishin 2008 e deri diku 2010). Dinamo nisi të luante në kuadrat, pra të qarkullonte topin dhe të ishte e befasishme në sulmet e kundërsulmet e saj. Nofka doli menjëherë: Nëndetësja. Ajo që mbetet edhe sot.

Titulli kampion u fitua shpejt, më 1967, ndonëse mbetet një titull i rrethuar nga polemikat për shkak të zënkës pranë fundit të kampionatit të lojtarëve të 17 Nëntorit (Tiranës së sotme) dhe Partizanit. U dënuan të dy ekipet dhe 17 Nëntori që kryesonte e humbi kampionatin, që e mori Dinamo. Në 7 sezone që drejtoi blutë, doli kampion edhe më 1973, ndërsa nënkampion më 1971. Po ashtu, fitoi Kupën e Republikës më 1971 e 1974. Pak a shumë, një bashkëkohës i Shenklit të madh, me ndryshimin e vetëm se skocezi i famshëm jetoi më gjatë, 68 vjeç nga 53 të shqiptarit, ndërsa edhe vdekjen e patën pranë e parë: më 1981 Shenkli dhe 1984 Jareci.

Në fundin e karrierës, ndërsa sëmundja e kancerit në stomak po përparonte, ai punoi disa kohë në Durrës dhe u aktivizua edhe si ndihmëstrajner në ekipin kombëtar, në momentet që atë e drejtonte i shquari tjetër Loro Boriçi.

Sëjdini kujton autoritetin e pafund të Skënderit, aftësinë e tij të shkëlqyer psikologjike dhe atë të lëximit të lojës. Në ndeshje e sipër, ai ishte në gjendje të gjente zëvendësimet dhe lëvizjet e duhura taktike si dhe të motivonte futbollistët e tij. “Babai i të rinjve” mbahet mend mirë nga Sejdini për mbrojtjen që i bëri në fillim të karrierës, kur ai ishte vetëm 17 vjeç dhe shënoi një autogol në ndeshjen ndaj Vllaznisë në “Qemal Stafa”. Priteshin të  këputeshin disa koka lojtarësh në analizën me oficerët e lartë të Ministrisë, por Jareci kritikoi veteranët duke marrë si shembull pikërisht Sejdinin.

Një zotni i vërtetë në sjellje dhe veshje, Skënderi nuk bënte dallim nga lojtarët e tij që blinin ora apo sende të tjera kur dilnin jashtë shtetit nëpër kupat e Europës apo kupën Ballkanike. Për fat atë nuk e zunë asnjëherë, ndërsa Sejdini kujton se një mbrojtës i madh ishte ish-shefi i klubit të Dinamos, Petrit Arbana.

Tiranasi shpirtmadh, komunist i orëve të para dhe shok me Myslym Ketën e Adnan Qatipin, ishte tepër i fuqishëm dhe me partishmëri të lartë, pore edhe me zemrën flori. Kurrë nuk denoncoi asgjë, as kur Dinamo braktisi finalen e Kupës Ballkanike më 1969, në fushën e Beroes në Stara Zagora të Bullgarisë. Shkaku ishte një penallti që, sipas bluve ishte e padrejtë, ndërsa reagimi i “shqipove” kaloi çdo limit.

Njëra nga vajzat e tij, Iva (ai la pas dy bija), i ka sytë me lot ndërsa flet për babanë, të cilin kuptohet që e ka idhull. Ashtu siç mund të flasin me hollësi dhe ndjenjë vetëm vajzat e bijat, Iva tregon sesi Skënderi ishte i përsosur si baba, si bashkëshort, sesi rregullonte edhe fijen më të vogël të flokut, sesi lustronte çdo cep dhe në çdo kohë këpucët, sesi vishej me kostum e kollare dhe sesi kombinonte veshjen.

Asaj i duket sikur gjithçka ka qenë dje dhe thotë se ishte e ndërgjegjshme për pozicionin e familjes së saj. Pavarësisht nga kujdesi i prindërve, Iva dhe motra tjetër, Ina, dëgjonin çfarë flitej dhe ndjenja e kujdesit dhe frikës nga ndonjë e papritur nuk ishte kurrë larg.

Iva sjell një moment, të cilin duhet patjetër ta lexojnë ata që interesohen për futbollin dhe për fatin e njeriut. i kujtohet kur ekipi kombëtar do të luante ndaj Gjermanisë Perëndimore më 1981. Ishte ndeshja famëkeqe kur kuqezinjtë u dërrmuan 8-0 në “Vestfalenshtadion” të Dortmundit. Skënderi ishte në stafin prej tre trajnerësh që drejtohej nga Loro Boriçi.

Familja e përcolli, mbylli derën dhe vazhdoi ditën e saj. Pak orë më vonë, një trokitje e dëshpëruar dhe e shuar. Porta u hap dhe përballë u shfaq Skënder Jareci. Më kthyen, ishin dy fjalët e tij të vetme. Një javë me radhë nuk doli nga shtëpia.

Ishte nëntori i vitit 1981, koha e acarit të fundit të luftës së klasave, një i ftohtë siberian i ardhur në kohën që po afronte edhe vetëvrasja e ish-kryeministrit të fuqishëm Mehmet Shehu.

Fatkeqësia ishte e madhe sa nuk thuhej pasi Skënder Jarecin e kishin kthyer ndërsa po bëhej gati të hynte në derën e autobusit që do të çonte ekipin në Rinas. Pas kësaj, Ina Jareci, vajza e tij e dashur dhe e shtrenjtë, u përjashtua nga volejbolli dhe u desh ndërhyrja e Ramiz Alisë që të kthehej, me kushtin e vetëm: Të mos luajë më me Dinamon, ndërsa nga blutë ishte përjashtuar edhe e shkëlqyera Silva Turdiu, e dërrmuar nga fejesa me djalin e Mehmet Shehut.

Vitet kanë kaluar, madje plot 31 të tillë. Skënder Jareci i madh dhe fisnik u largua nga familja dhe nga sporti i Shqipërisë më 9 mars 1984. Iku, ndërsa zbuste dhimbjet e sëmundjes me biskotat e tij dhe kalonte muajt e fundit në sallën e shahut, ku gjithashtu nxehej kur i bënin me hile. Ai, dinaku i zgjuar, por kurrë mashtruesi.

Më bëjnë përshtypje emrat e vajzave të tij, Iva dhe Ina. Çfarë historie kanë ata? Iva tregon se nuni i saj ishte një inxhinier çek, me emrin Jan Kanek, shok i Skënderit në vitet e bllokut socialist. Djali i Janit quhej Ivo dhe ai vendosi që vajza e parë e mikut të tij të quhej Iva. Emrin e Inës e zgjodhi vetë Skënderi.

E shoqja e tij, Filda (Jozefilda), një bijë mirditore e një familjeje gjithashtu të madhe e të rëndë me mbiemrin Mirdita, nuk mundet ta harrojë të shoqin. E ka të nevojshme tua thotë vajzave se e dashuron Skënderin edhe sot, 28 vjet pas vdekjes. E dashuron njëlloj si atëherë dhe njeriu e kupton sesa kuptim kanë fjalët e urta që “fjala gdhendet në gur”.

Ajo kujton ato vite të artë, anipse rrethuar nga i ftohti i frikës. Atë kohë kur uleshin të dy në shtëpi dhe korrigjonin provimet e nxënësve të tyre. Ata dy mësues të mrekullueshëm, ai tek “29 Nëntori” dhe ajo tek “7 Marsi”, të mbushur me pasionin dhe edukatën për të punuar e për t’u gëzuar nga suksesi. “Presor” Skënderi e “Zysh Filda”, ndërsa në shtëpi duhet të jenë ende letrat dhe kartolinat e urimit për 7 marsin.

I kthehem fjalëve të Dostojevskit. “E bukura shpëton botën”. Dhe një koment nga mendimtari e artisti polak, Çesllav Millosh: Duke pasur parasysh përhapjen e gjerë të poshtërsisë dhe mizorisë, në disfatën e përhershme të së mirës dhe triumfin e përsëritur të së keqes, nuk duhet të ketë bukuri, ajo madje përbën një sfidë, njëfarësoj edhe një fyerje për krijesat që vuajnë. E megjithatë, e bukura ekziston.